Rreth kësaj ueb faqe

Kjo faqe për ndihmë është krijuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian (BE) dhe mirëmbahet me mbështetjen e Zyrës së Shefit të Misionit të UNHCR-së në Prishtinë. Përmbajtja e saj është përgjegjësi e vetme e Programit për të Drejtat Civile në Kosovë (CRPK) dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian ose të UNHCR-së.

Rreth CRPK-së

Programi për të Drejtat Civile në Kosovë (CRP/K) u themelua nga Këshilli Norvegjez për Refugjatët (NRC) në vitin 1999. CRP/K i vazhdoi aktivitetet e veta nën këtë kornizë deri në vitin 2004, kur nga 1 dhjetori i vitit përkatës ka funksionuar si një organizatë e pavarur joqeveritare. Që nga ky vit, CRP/K i kryen aktivitetet e veta si organizatë joqeveritare për të drejtat e njeriut dhe është partner zbatues i Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), për zbatimin e projekteve në lidhje me ndihmën juridike falas.

CRP/K është organizatë që ofron ndihmë juridike dhe këshillim falas për të kthyerit, azilkërkuesit, personat e zhvendosur në Kosovë, personat në rrezik të pashtetësisë dhe personat që konsiderohen të cenueshëm në realizimin e të drejtave të tyre civile. Një ndihmë e tillë sigurohet pa asnjë lloj diskriminimi. CRP/K i përfaqëson përfituesit në procedurat para gjykatës.

Rreth Zyrës së Shefit të Misionit të UNHCR-së në Prishtinë

Prania e UNHCR-së në Kosovë filloi në 1992 me qëllimin për të ndihmuar refugjatët që kërkonin mbrojtje dhe ndihmë humanitare dhe për të mbështetur personat e zhvendosur para konfliktit të vitit 1999. Sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (1999), UNHCR është mandatuar të mbikëqyrë kthimin e sigurt dhe të lirë në Kosovë të të gjithë refugjatëve dhe personave të zhvendosur.

Institucionet e Kosovës janë përgjegjëse për mbrojtjen e azilkërkuesve dhe refugjatëve. Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion ka përgjegjësinë të shqyrtojë kërkesat për azil dhe të vendosë nëse dikujt i jepet mbrojtje në Kosovë. UNHCR-ja i mbështet institucionet e Kosovës në ruajtjen e regjimeve të mbrojtjes të cilat janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe mbron të drejtat e azilkërkuesve, refugjatëve dhe personave të tjerë të interesuar.

Shërbimet e UNHCR-së jepen falas: Nuk ka asnjë pagesë për asnjë shërbim të ofruar nga UNHCR-ja, qoftë drejtpërdrejt ose përmes partnerëve të vet. Çdo person, përfshirë një punonjës të UNHCR-së, ose organizatë që pretendon të jetë në gjendje të ndihmojë një azilkërkues ose një refugjat për të marrë një shërbim të UNHCR-së kundrejt parave ose favoreve, duhet të raportohet menjëherë në UNHCR.

Mbrojtja nga Shfrytëzimi dhe Abuzimi Seksual (MSHAS)

Raportimi mbi shfrytëzimin dhe abuzimin seksual

Shfrytëzimi dhe abuzimi seksual janë sjellje të papranueshme dhe të ndaluara për të gjithë anëtarët e stafit të Kombeve të Bashkuara dhe të OJQ-ve partnere. Raporti juaj do të trajtohet me diskrecion dhe do të mbahet rreptësisht konfidencial.

Çfarë është shfrytëzimi seksual?

Çdo abuzim real ose në tentativë i një pozite cenueshmërie, fuqie diferenciale ose besimi, për qëllime seksuale. Ai përfshin trafikimin dhe prostitucionin.

Çfarë është abuzimi seksual?

Çdo aktivitet seksual real ose me kërcënim i kryer me forcë ose në kushte të pabarabarta ose shtrënguese. Shfrytëzimi dhe abuzimi seksual mund t'i ndodhë kujtdo—burrave, grave, djemve dhe vajzave—në çdo moshë, me ose pa aftësi të kufizuara, pavarësisht nga orientimit të tyre seksual ose identitetit gjinor dhe në çdo rrethanë.

Mbrojtja nga shfrytëzimi dhe abuzimi seksual (MSHAS)

Në përputhje me standardet e sjelljes të Kombeve të Bashkuara, anëtarët e stafit të UNHCR-së dhe të OJQ-ve partnere nuk duhet të:

  • Kryejnë aktivitet seksual me askë në këmbim të parave, punësimit, trajtimit preferencial, të mallrave ose shërbimeve
  • Kryejnë aktivitet seksual me asnjë fëmijë nën moshën 18 vjeç
  • Përfshihen në asnjë formë tjetër të sjelljes seksualisht poshtëruese, degraduese ose shfrytëzuese.

Si mund të raportoni dyshimet për shfrytëzim dhe abuzim seksual?

Nëse jeni në dijeni ose keni shqetësime ose dyshime për ndonjë rast të mundshëm të shfrytëzimit dhe abuzimit seksual nga ndonjë anëtar i stafit të UNHCR-së, OKB-së ose OJQ-së, mund të raportoni drejtpërdrejt te:

  • Zyra e Shefit të Misionit të UNHCR-së në Kosovë: Telefoni pa pagesë: 0800 22 888
  • Stafi i UNHCR-së në zonat tuaja gjatë takimit konfidencial, personalisht
  • Stafi i OJQ-së gjatë takimit konfidencial, personalisht

Në raportin tuaj duhet të përfshini:

  • Çfarë ka ndodhur?
  • Përshkruani në detaje atë që dini për incidentin ose incidentet.
  • Kush e ka kryer shkeljen e supozuar?
  • A e dini nëse dikush tjetër ishte i përfshirë? Ju lutemi jepni emrat e plotë, titujt e punës dhe organizatën, nëse është e mundur.
  • Kur dhe ku ka ndodhur incidenti apo incidentet?
  • Përfshini datat dhe orarët, nëse është e mundur.

Çfarë do të ndodhë më pas?

Do të kontaktoheni dhe do të merrni komente/reagim në mënyrë rreptësisht konfidenciale.